Kryeministri Edi Rama në një dalje për gazetarët ku foli për kandidaturat socialiste për zgjedhjet e 30 qershorit foli dhe për protestën e një dite më parë të opozitës. Ai e quajti një “xhiro në boshllëkun e dëshpërimit të atyre që janë vetëpërjashtuar”, manifestimin e dhunshëm sipas tij një ditë më parë.
“Më impresionon fakti që dje ra numri i bombave molotov dhe ndryshoi formula e goditjes me zjarr mbi institucionet, sepse goditjet e djeshme qoftë mbi drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit dhe institucionit të parlamentit përsëri rrezikuan jetën e uniformave blu, u krijuan disa plagë për disa prej tyre. Mbi të gjitha ajo e djeshmja ishte një xhiro në boshllëkun e dëshpërimit të atyre që janë vetëpërjashtuar nga zgjedhjet që shkaktoi jo pak shqetësim dhe krijoi jo pak ankth për qytetarët, për banorët, në gjithë trajektoren e marshimit absurd që u zhvillua gjat ditës së djeshme. As me mashtrime nuk zëvendësohet dhe as nuk rrëzohet qeveria, dhe aq më pak bomba molotov, kapsolla apo fishekzjarrë janë një program qeverisës apo alternativë qeverisëse. Po sigurisht përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës, dhe për të goditur ekonominë e vendit dhe familjare të të gjithë atyre që jetojnë në këtë vend”, tha Rama.
Përsa i përket kandidaturave ai tha se janë rikonfirmuar ata që kanë punuar më mirë, dhe ka emra të rinj për ti dhënë hov zhvillimit në disa bashki të tjera. Duke folur për bashkitë, kandidatët e të cilëve janë zgjedhur kur Rama ishte në koalicion me Ilir Metën, ai tha se “i kemi mbështetur ne, po i përkasin një kulture qeverisëse ndryshe nga e jona”.
