Zamira Durda, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar në masakrën e Gërdecit të 15 marsit 2008 ka dhënë një dëshmi prekëse në GJKKO ku po merren në pyetje 14 dëshmitarë.
Durda e cila tregoi momentin e shpërthimit dhe humbjen e djalit të saj, ka sjellë në gjykatë edhe dy fletoret e klasës së parë të djalit të saj.
Teksa i kërkoi trupës gjykuese llogari pse fletoret janë bosh, tha se vendimin duhet ta shkruajnë aty.
E pyetur nga avokatët e Fatmir Mediut tha se nuk ka asgjë personale me të por e quajti ngjarjen e rëndë një krim shtetëror.
“Babi im i ndjerë më kishte thënë se aty kishte pasur edhe më herët zjarre, por janë shuar. E dija që aty ishte me rrezik, por askush nuk na dëgjonte, sepse edhe fshatarët mund ta merrnin si një sulm ose zili pse ata punojnë aty. Unë në atë kohe nuk kisha ku të shkoja sepse nuk i njihja këta zotërinjtë këtu (gazetarët) këta më kanë qëndruar afër këto 15 vjet”, tha Zamira Durda.