Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar, PS
Zonjat dhe zotërinjtë e opozitës, mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër, por duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund të bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni tërhiqeni nga komisionet kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Ne do te detyrohemi të vazhdojmë punën dhe pa ju.
Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE, partitë votohen, partitë numërojnë.
Gjithashtu të gjithë ia themi njëri tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në pallatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit. Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027. Reforma zgjedhore sa i përket Kodit Zgjedhor kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë.
Dëgjova zotin Gjekmarkaj së opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka një indikator shume domethënës nga sesioni i kaluar. Koha e diskutimeve. Opozita ka marre 48 orë diskutime, shumica bashkë me Qeverinë 40 orë diskutime në seancë plenare.
Agron Gjekmarkaj, Nënkryetar i Kuvendit
Ju Zoti Kryetar na uruat vitin e ri dhe unë ju uroj vit të mbarë secilit në plan personal po këtu nuk jemi si përfaqësues të vetes dhe të shtëpive tonë, por të qytetarëve të cilët shohin një parlament të bllokuar! Viti nuk ka filluar mbarë, sepse viti tjetër mbaroi keq!
Katër muajt nga shtatori në dhjetor kanë qenë muajt më të shëmtuar të parlamentarizmit, dhunim i rregullores, dhunim i opozitës, në 11 seanca vetëm një a dy here kemi bërë debat normal, sepse keni patur frikë nga fjala e opozitës të përfshirë nga skandalet tuaja!
Që të kemi vit të mbarë duhet qe drejtësia të mos merret peng, që viti mos të fillojë me hungërima, përçartje e çjerrje se si doni t’i tregoni vendin opozitës!
Ju them mos guxoni !
Do ta keni përballë opozitën në Kuvend dhe sheshet e Shqipërisë!
Me qenë se zoti Balla ju referua raportit të OSBE/ODIHR i them se ai raport jua rrëzoi zgjedhjet e vjedhura të 11 Majit, ato dy të tretat që ju thoni!
Zoti Balla foli për një Shqipëri qe nuk ekziston , foli për vizione, duke shmangur atë që Shqipëria reale pret të dëgjojë, atë që qytetarët duan, dënimin e korrupsionit çfarë keni për të thënë për , drejtësinë e marrë peng me dhunë nga mazhoranca, për sekserin a taksidarin e republikës që ta ka pushuar nga puna edhe ty si ministër a ndonjë tjetër këtu!
Hakmarrja e drejtësisë jo “hakmarrja për drejtësi” do të bjerë mbi ju, nga brenda nga jashtë , është dialektike nuk i shmangeni dot.
