Top Channel ka zbardhur detaje nga takimi i mbajtur në Shkodër këtë të shtunë mes kryeministrit Edi Rama, ministrave dhe kryebashkiakëve të vendit.
Ministri Arbjon Mazniku prezantoi raportin e bashkive të vendit, sipas informacioneve të përcjella nga korrespodenti i Top Channel në Shkodër, Klodian Zhivani.
Detyrimet e njësive vendore janë ulur me 60% nga 12 miliardë lekë në 4.8 miliard lekë, theksoi ministri, ndërsa shtoi se Kavaja dhe Vora janë bashkitë me më shumë borxhe, sipas raportit.
“Për sa i përket burimeve njerëzore, është analizuar numri i punonjësve për 1000 banorë për të gjitha bashkitë, në aparatet e tyre dhe shërbimet që ofrojnë. Sa i përket anës financiare, bashkitë janë futur në site, kapacitetet e bashkive për të mbledhur të ardhurat e tyre, si dhe cilat janë bashkitë që performojnë më mirë. Po ashtu bashkitë janë analizuar edhe sa i përket aftësisë për të shkruar projekte dhe për të thithur fonde nga Bashkimi Europian. Sa i përket të ardhurave vendore, në 2023 u rritën me 271% krahasuar me 2015, nga 13 miliardë në 31 miliardë. Sa i përket shpenzimeve vendore 102 % më të larta se në 2015. Borxhet e bashkive të vogla, janë të varura në masën 85 % nga grantet dhe transfertat e qeverisë. Bashkitë më të mëdha e kanë të balancuar këtë raport në 55%.
Detyrimet e njësive vendore janë ulur me 60% nga 12 miliard në 4.8 miliard lekë. Borxhet e bashkive janë 4.8 mld lekë, 60% më pak se në 2015, Kavaja dhe Vora janë bashkitë me më shumë borxhe.
14 bashki janë të varura 85% nga grantet dhe transfertat e qeverisë, ndërsa 10 bashki (me mbi 100 mijë banorë janë të varura në masën 55%”, mësohet të ketë thënë ministri Mazniku gjatë mbledhjes.“
Kujtojmë se në mbledhjen e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër e cila nisi në orën 10:00 ishin të pranishëm edhe kryebashkiakë të së djathtës.
Në orën 10.00 takimin e hapi kryeministri Rama me fjalën e tij, e parashikuar 30 minuta dhe më pas mori fjalën ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbion Mazniku.
Nëntë tryeza pune do të bëjnë bashkë ministra, zv/ministra dhe kryebashkiakë me fokus diskutimesh të sektorëve kryesorë.
Sipas agjendës, takimi mbyllet me fjalën e kryeministrit Rama që nis në orën 17.30 dhe pritet të zgjasë 60 minuta.
Të zgjedhurit e të djathtëve, Hilë Curri i Fushë Arrëzit, Rrok Doda i Pukës, Albert Mlyshi i Mirditës dhe Fisnik Qosja i Kavajës, kryebashkiaku i Hasit, Miftar Dauti dhe ai i Memaliajt, Albert Malaj i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së qeverisë.