Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të jetë edhe kreu i grupit parlamentar kur kjo parti të jetë në opozitë.
Ky është një nga vendimet që pritet të merret sot në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku pritet të miratohet statuti i ri. Në këtë statut përcaktohet se kryetari mund të zgjedhë dhe nënkryetarin.
Më këto ndryshime, Lulzim Basha do të jetë edhe kryetari i Grupit parlamentar, post që e mbante Gazment Bardhi.
“Kur PDSH është shumicë qeverisëse, Kryetari i Grupit Parlamentar zgjidhet me propozim të Kryetarit të Partisë nga Këshilli Kombëtar, me votim të fshehtë, ndërmjet jo më pak se dy kandidaturave.
Kur PDSH nuk është shumicë qeverisëse, Kryetari i Partisë është edhe Kryetar i Grupit Parlamentar. Kryetari i Partisë, me autorizim të tij, mund të caktojë një prej Nënkryetarëve të Partisë për të drejtuar Grupin Parlamentar”- thuhet në ndryshimet e statitit të PD-së.
Mirëpo ai që bie më shumë në sy në statutin e ri është neni 45, kur flitet për “Kryetarin e Partisë”
Në asnjë nga pikat e këtij neni nuk sqarohet “doreheqja” e mundshme e kreut të partisë.
Kryetari i Partisë kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare. 2) Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH-së, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë. 3) Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i Partisë, në varësi të problematikave apo çështjeve specifike, mund të ngrejë struktura ndihmëse apo të caktojë koordinatorë tematikë apo të deleguar, të cilat merren me shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre, apo drejtimin e procesit të ngarkuar. 4) Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme, i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. 5) Kryetari i Partisë në përmbushje të funksioneve të tij dhe garantimit të mbarëvajtjes së punës në parti, nxjerr urdhra dhe udhëzime, në bazë dhe për zbatim të këtij Statuti, si dhe të vendimeve të organeve drejtuese të Partisë.
