Pas vitit 2012, kur Shqipëria vendosi të strehojë një pjesë të vogel të opozitës iraniane dhe veçanërisht pas 2016-s, në vendin tonë erdhën rreth 3000 muxhahedinë të tjerë, Garda Revolucionare e Iranit filloi organizimin e sulmeve ndaj këtij grupi. “Kronos” ka mundur të sigurojë dokumente ekskluzive që vërtetojnë se forcat inteligjente të Iranit, Quds, kanë sjellë në Shqipëri agjentë të tyre për të organizuar sulme terroriste. Ky është një përgjim i bërë në vitin 2018 në qendër të Tiranës, ku 4 persona që flisnin turqisht komunkonin me përfaqësues të QUDS.
Përshëndetje vëlla Ferhat. Kam dy ditë në Tiranë. Do ta kryejmë punën e djalit të Haji-ut, Peyman-it. Ne po lëvizim në drejtimin që na keni dhënë ju. Po pres lajme prej teje vëlla. Vëlla Hafiz, vëlla Ferhat dhe ky mesazh është për djalin e Haji-t, Peyman-in. Paqja qoftë me ju. Jemi katër veta që kemi ardhur këtu vëlla… me dy makina. Kemi këtu dy ditë dhe shokët e tjerë i kemi sistemuar në Hotel Tirana. Unë dhe shoku im jemi tek Plaza. Përshëndetje për ty!”
Një tjetër dokument i njësisë antiterror në Policinë e Shtetit tregon se se një shtetas iranian me dokumente austriake ka hyrë në Shqipëri në atë periudhë.
Erwin ARAMI ka qënë në Shqipëri nga 16 marsi i 2018 deri në 18 mars. Ai së bashku me 5 ish-anëtarë të tjerë të MEK, të cilët janë larguar nga organizata për shkak se nuk janë njerëz të besuar, kishin detyra të qarta për të kryer në Shqipëri.
Madje, njëri prej ish-anëtarëve të MEK ka dokumente gjermane, por i identifikuar si lidhje e inteligjencës iraniane nga ana e prokurorisë dhe Policisë Shqiptare.
Misioni ishte i qartë për ta: marrja e informacionit të saktë për drejtuesit e MEK, ndër ta edhe të drejtueses Maryam RAJAVI si dhe identifikimin e mjeteve dhe targave me të cilat ata lëviznin.
Sipas informacioneve tona, kemi indicie se, “grupi i vëzhgimit” kishte në vëmendje dy vendndodhje që lidheshin me MEK në Shqipëri, konkretisht kampin e organizatës MEK në Manzë, Durrës dhe vendin e akomodimit të anëtarëve të MEK në Vaqarr, Tiranë. Përveç vendndodhjeve fizike të MEK, ARAM dhe ekipi i tij ishin të përqëndruar në marrjen e informacioneve rreth lidershipit të MEK, përkatësisht Maryam RAJAVI, Javad KHORASAN, Hasan NAY AEB-AGHA dhe Sadigheh HOSEINI. “Grupi i vëzhgimit” planifikonte fotografimin dhe filmimin e këtyre drejtuesve të MEK, automjetet dhe targat e tyre.
