Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi dje dy mbledhje me strukturat për të vendosur mbi protestat e radhës së opozitës.
Në fillim kreu i PD-së mblodhi në takim krerët e degëve në rrethe, ku u la atyre porosi për angazhim maksimal për organizimin e protestës së madhe të 11 majit, si edhe për bllokimin e rrugëve. Pas takimit me krerët e degëve, Basha mblodhi në selinë e PD-së anëtarët e Kryesisë dhe ishgrupin e deputetëve demokratë.
Porositë
Burime bënë me dije për gazetën “Panorama” se Basha kishte qenë shumë i vendosur në kërkesat e tij për vijimin e aksionit opozitar për plotësimin e kushteve, që sipas tij do të garantojnë zgjedhje të lira.
“Asnjë minutë paqe për Edi Ramën, derisa të largohet e t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Koha kur në Shqipëri Edi Rama dhe kriminelët e tij diktonin zgjedhjet, ka marrë fund njëherë e mirë. Ne do të jemi në krye të protestave të qytetarëve, derisa të fitojmë betejën europiane dhe demokratike, për të mos lejuar krimin elektoral të 30 qershorit. Edi Rama e di se nuk mund t’i rezistojë presionit popullor, prandaj po kërcënon me burg. Edi Rama ka frikë, sepse e di shumë mirë që një hetim i pavarur, çon në burg atë vetë, Vangjushin e tij dhe Damian Gjiknurin për blerjen e zgjedhjeve bashkë me krimin. Mesazhi i qëndresës qytetare për Edi Ramën, që iu frikësohet zgjedhjeve të lira si djalli nga temjani, është se nuk ka shpëtim prej tyre. Ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë çdo gjë për të mos lejuar që në 30 qershor të ketë një krim tjetër elektoral si ai i 2017-ës”, mësohet të ketë thënë kreu i PD-së.
Protesta
Basha ka lënë porosi edhe për organizimin e protestave të radhës të opozitës. Fokusi i porosive ka qenë protesta e madhe e 11 majit, por edhe bllokimi i rrugëve çdo ditë të enjte kur do të ketë seancë plenare. Për këtë, Basha është shprehur se bllokimi i rrugëve do të intensifikohet dhe do të bëhet 3 orë në të 12 qarqet e vendit.
“Për demokracinë janë prerë koka mbretërish. Ne do të bëjmë gjithçka të vendosim kushtet para datës 30 qershor. Të enjteve do të bëjmë prapë bllokim rrugësh, por ndryshe nga hera e shkuar, këtë herë bllokimi do të jetë në 12 qarqet e vendit dhe do të zgjasin për 3 orë. Aksioni opozitar do të intensifikohet. Koha kur populli shkonte në burg dhe kriminelët në qeverisje, ka marrë fund. Politikanët e lidhur me krimin do të shkojnë në burg dhe populli do të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni. Përballja do të jetë në çdo qytet, në çdo shesh dhe rrugë të vendit, për të kulmuar më 11 maj në protestën kombëtare përpara Kryeministrisë”, mësohet të ketë thënë Basha në mbledhjen e Kryesisë së PD-së/Panorama/
