Pritshmëritë gjermane në prag të takimit të Berlinit janë që të hidhet poshtë përfundimisht ideja e ndryshimit të kufijve, shkruan DW.
Në samitin që nis punimet sot në mbrëmje në zyrën e kancelares ë gjermane Angela Merkel, marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron dhe krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, Sllovenisë dhe Kroacisë.Veç tyre janë ftuar edhe tre presidentë, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, i Serbisë, Alexandar Vuçiç dhe i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Siç i konfirmuan Deutsche Welles diplomatë në Berlin, Gjermania dhe Franca përpiqen kështu të demonstrojnë unanimitet në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe të tregojnë se Ballkani duhet të mbetet në përgjegjësinë e shteteve të Evropës. Megjithatë diplomatët janë të vetëdijshëm se BE-ja aktualisht nuk është në gjendje t’i zgjidhë konfliktet në Ballkan, ku konflikti mes Serbisë dhe Kosovës konsiderohet më kyçi.
Megjithëse Mogherini, drejtuesja e negociatave të ngecura mes Serbisë dhe Kosovës, do të jetë e pranishme në takim, nuk mund të pritet se nga takimi do të dalë një marrëveshje konkrete përsa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Edhe zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer, tha të premten, 26 prill 2019, në Berlin se takimi synon shkëmbimin e mendimeve dhe ka karakter joformal. Megjithëse pritet që të ketë një dokumet ku do të përmblidhen rezultatet përfundimtare të tij, të cilat do të firmosen nga të gjithë pjesëmarrësit.
Takime biletarele Merkel me Zaev dhe Ramën
Edhe pse perpspektiva evropiane konsiderohet si motori kryesor i gatishmërisë së këtyre vendeve për kompromis dhe reforma, zgjerimi nuk do të jetë temë bisede. Qarqet diplomatike rikonfirmojnë për DW se Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të majit.
Kancelarja Angela Merkel dëshiron të japë një sinjal në drejtim të dy vendeve që janë në pritje të çeljes së negociatave, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Ajo do të takohet kështu në takime bilaterale me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, (16:00) dhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama, (16:30). Temë këtu do të jetë çelja e negociatave të anëtarësimit në BE. Merkel dëshiron të theksojë kështu rëndësinë që u jep Gjermania këtyre dy vendeve dhe perspektivës së tyre në BE.
