Snajperisti që ekzekutoi me një plumb të vetëm biznesmenin Kastriot Reçi, është parë të hyjë si burrë nga apartamenti prej nga ka qëlluar dhe më pas të dalë si grua. Ky është konstatimi që kanë bërë oficerët e policisë dhe prokurorët e Lezhës, të cilët gjatë 48 orëve pas kësaj çështje mundën të krijojnë një dinamikë të këtij krimi të rëndë dhe tepër të sofistikuar, që ka ndodhur në qytetin e Rrëshenit. Sipas një relacioni të policisë kriminale përcjellë në prokurorinë e Lezhës thuhet se snajepristi ende i paidentifikuar ka vëzhguar për një kohë të gjatë viktimën, duke ndërtuar dhe një plan strategjik e të sofistikuar për të bërë eleminimin fizik të shtetasit Kastriot Reçi.

Duke iu referuar këtij raporti policor, rezulton se vrasësi nuk ka qëlluar nga tarraca e pallatit, por nga dritarja e një apartamenti, që sipas policisë është hyrja nr. 28 e një pallati 9-katësh në Mirditë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky apartament është në pronësi të shtetasit Gjergji Thoma, i cili është shoqëruar menjëherë në polici dhe ka dhënë shpjegimet për këtë ngjarje. Thoma, përgjatë gjithë natës është pyetur në detaje se kush e ka përdorur apartamentin e tij, duke sqaruar se:”…gjatë muajve të verës ia kam dhënë një personi me qira dhe ky person quhet Pashk Frroku nga Klosi i Mirditës…”.Më tej në rrëfimin e tij dhënë para oficerëve Gjergj Toma ka treguar se nga qiramarrësi Pashk, ka marrë vetëm dy herë qira prej një shume totale diku tek 300 mijë lekë të vjetra, 150 mijë leke të vjetra në muaj. Gjithmonë sipas dëshmisë së qiradhënësit, Pashk Frrokut, i ka dhënë dy çelësa për të hapur derën e apartamentit dhe pasi Pashku është larguar në drejtim të Gjermanisë tek vëllai i tij, ai i ka ndërprerë marrëdhënien e qirasë, duke i kthyer vetëm një çelës.

Që nga momenti, ku Pashk Frroku, është larguar e deri më sot apartamenti ka qenë i papërdorshëm nga askush. Mirëpo me sa duket një çelës, në rrethana ende të papërcaktuara ka rënë në dorë të hasmëve të familjes Reçi në Mirditë, të cilët kanë nisur të venë në jetë një plan djallëzor dhe tepër të sofistikuar për të vrarë me snajper Kastriot Reçin. Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë rezulton se ditën e ngjarjes në orën 6:30 minuta të mëngjesit një person që dyshohet të jetë si autori kryesor konstatohet që zbret nga një automjet tip “Benz Mercedes”, dhe në duar mban dy çanta. Njëra nga çantat nga diametra të gjatë, e ngjashme me ato të armëve të zjarrit si çifte. Ndërsa tjetra duket që është një çantë e zakonshme rrobash. Sapo ka zbritur nga automjeti tip Benz, drejtuesi i makinës është larguar ndërsa personi tjetër ka marrë drejtim në hyrjen e pallatit 9-katësh, andej nga dhe është bërë goditja me armë. Nga ky moment deri pak minuta pas orës 12:00 të mesditës, qitësi ka pritur në banesë duke vëzhguar lëvizjet para lokalit të Kastriot Reçit./ Shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here