Recepsionisti i hotelit ka gjetur trupat e pajetë të katër turistëve rusë, ndërsa ka njoftuar menjëherë policinë. Burime nga Prokuroria e Kavajës thonë se hetimet po kryhen në dy drejtime për rastin.
4 personat kishin lidhje familjare, pasi ishin çifti i bashkëshorteve, Nataliia Burenkova, 58 vjeçe dhe Sergei Burenkov, 60 vjeç si dhe vajza e tyre Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe burri i saj, Nikita Belousov, 37 vjeç.
Në dëshminë e tij, recepsionisti ka thënë para grupit hetimor se ka qenë rreth orës 22:30 kur ai ka shkuar në zonën e saunës, ku ishin 2 çiftet, ndërsa i ka thirrur atyre disa herë për t’i njoftuar se pijet dhe frutat iu kishin shkuar në dhomë. “Iu thirra disa herë se pijet dhe frutat ishin gati.
Pasi nuk mu përgjigj njeri hyra brenda në sauna dhe i pash të katërt, nuk mu përgjigjën. Njëri ishte i shtrirë në shezlong, dy në stol dhe një tjetër ulur me këmbët në pishinë. Ishin të asfiksuar”, kështu mësohet të jetë shprehur punonjësi i hotelit.
Instituti i Mjekësisë Ligjore po kryen ekspertizën e trupave të pajetë për të zbardhur shkakun. Paralelisht po zhvillohet edhe ekspertiza për analizat bakteriologjike të ambienteve të saunës së hotelit.