Një rrjet social komunikimi mes koleksionistëve dhe pronarëve të argjendarive në Shqipëri dhe jo vetëm çoi në kapjen e dy shtetasve italianë që nëpërmjet mashtrimit kishin shitur ar të rremë në vlerën e mbi 200 mijë Eurove në Mal të Zi dhe Tiranë.
Fortunato Maddaloni dhe Riccardo Gennario njiheshin edhe nga komuniteti në Itali si mashtrues.
Ata rezultojnë të kenë hyrje-dalje në Shqipëri që prej muajit Maj dhe mashtrimin e parë në vendin tonë e kanë bërë në 2 Qershor, ku i kanë shitur një argjendarie ar të rremë për 100 mijë Euro.
Në 30 Korrik, dy shtetasit italianë duke u prezantuar me emra të tjerë, i shitën arin e përzier më metale të tjera edhe një argjendarie në Malin e Zi me vlere prej 135 mijë Eurosh.
Në Shqipëri u rikthyen në 11 Gusht dhe prej këtij momenti kanë qenë në vëzhgim deri kur u arrestuan në Elbasan me një çantë ku mbanin arin e rremë në 6 qese, teksa të vërtetin e kishin të fshehur në shuallin e këpucës.