Edi Reja vendosi ta dërgonte në tribunë sulmuesin në ndeshjen kundër Polonisë, të cilën Shqipëria e humbi me rezultatin 4-1. Broja nuk e kapërdiu dot këtë, por më keq akoma e përjetuan prindërit e tij.
Burime pranë Kombëtares bëjnë me dije për gazetën se menjëherë pasi skuadra ka mbërritur në Shqipëri një ditë më pas, prindërit e Brojës kanë shkuar në kompleksin ku ishte akomoduar ekipi dhe i kanë kërkuar të largohet nga grumbullimi.
Të revoltuar dhe me tone të larta ata më pas kanë pasur një bisedë edhe me trajnerin Reja. Ky i fundit i ka ftuar të ulen në tavolinë me të dhe ta dëgjojnë njëherë.
“Armando Broja është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ka potencial të madh dhe është edhe një djalë i mirë. Me cilësitë që ka, ai është i destinuar të bëjë një udhëtim të gjatë e të suksesshëm në karrierë.
Më besoni, unë i njoh lojtarët me të ardhme. Por, po ju them gjithashtu se nëse nuk e bën këtë udhëtim, atëherë do të jetë faji juaj. Po, po, faji juaj. Duhet të hiqni dorë nga kjo mënyrë të sjelli se po e dëmtoni atë”, mësohet t’u ketë thënë Reja familjarëve të Brojës.
Pas kësaj, situata është qetësuar dhe Broja ka vazhduar të qëndrojë në Kombëtare.
