Është zbuluar arma e improvizuar që dyshohet se u përdor në përleshjen mes të dënuarve në burgun e Fierit, ku mbetën të plagosur dy persona.
Bëhet fjalë për një send të improvizuar si armë e ftohtë, i përbërë nga fundi i një tenxhereje të mprehur dhe të prerë, i fiksuar me dru.
Arma dyshohet se është përdorur gjatë përplasjes mes të dënuarve Denis Bajri, Jurgen Zotaj dhe Aldo Gjini.
Bajri ka deklaruar para hetuesve se fillimisht është sulmuar me sendin e improvizuar dhe më pas ka arritur t’ia marrë atë njërit prej të dënuarve, duke u kundërpërgjigjur.
Ngjarja ka ndodhur pasi Zotaj dhe Gjini kishin lëvizur nga sektori i tyre drejt atij ku ndodhej Bajri. Tre të dënuarit fillimisht janë takuar dhe, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, edhe janë përqafuar, përpara se të zhvendoseshin në një ambient tjetër pa kamera, ku më pas ndodhi përleshja.
Pas incidentit, Aldo Gjini është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ndërsa Jurgen Zotaj është dërguar nga Spitali i Fierit në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të përleshjes.
