Një laborator i dyshuar për falsifikimin e dokumenteve është zbuluar nga autoritetet në Tiranë, ku dokumentet e falsifikuara dyshohet se përfitoheshin kundrejt pagesave që varionin nga 3000 deri në 5000 euro.
Si rezultat i operacionit, u sekuestruan 46 dokumente të dyshuara të falsifikuara, përfshirë diploma, dokumente shkollore, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente aplikimi për institucione të ndryshme. Gjithashtu, u gjetën dhe u sekuestruan 2 vula të dyshuara false, 6 telefona celularë dhe 3 kompjuterë.
Në pranga ranë tre persona, babë e bir, Hashim Markaj dhe Sulejman Markaj, si dhe bashkëpunëtori i tyre, Elidon Vladi. Sipas hetimeve, banesa e dy shtetasve në fshatin Rrushkull, Durrës, ishte përshtatur për realizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Gjatë kontrolleve në ambientet e dyshuara, policia gjeti pajisje dhe materiale që dyshohet se përdoreshin për prodhimin e dokumenteve false, si dhe dhjetëra dokumente të gatshme për përdorim.
Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të arrestuarit, për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
