Shërbimi Informativ Shtetëror për herë të parë në historinë e ekzistencës së tij gati 1 shekullore ka bërë publik raportin e veprimtarisë së tij të përditshme, duke zbuluar shumë nga informacionet apo mitet që ekzistojnë për këtë institucion që vepron në sekret të plotë. Raporti prej 40 faqesh është publikuar tashmë edhe në faqen zyrtare të SHISH dhe përmban të dhëna interesante që lidhen me sigurinë kombëtare, rreziqet kryesore që cenojnë atë e deri tek informacioni që ky institucion prodhon për hesap të “klientëve” të tij si Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, ministritë e linjës apo edhe agjencitë ligjzbatuese.
Produkti informativ
SHISH ka mundur që nga viti në vit të rrisë ndjeshëm veprimtarinë e tij informativo- operative, duke siguruar informacione me sensitet të lartë dhe që kanë ndihmuar institucionet kryesore të marrin masa për parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe që mund të cenonin sigurinë kombëtare. Kështu për 2016-ën, SHISH-i raporton se ka prodhuar në total 2944 informacione për klientët brenda e jashtë vendit. Për klientët brenda vendit, produkti informativ i SHISH-it ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me: 378 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit, 289 informacione për ministritë e linjës dhe 826 me destinacion agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit. Ndërkohë për 2017-ën, SHISH-i ka prodhuar në total 3146 informacione, i cili ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me: 267 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit, 274 informacione për ministritë e linjës dhe 1060 me destinacion Agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit. Ndërkohë që për 2018-ën, SHISH-i ka prodhuar në total 3601 informacione për klientët brenda e jashtë vendit, i cili ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me: 521 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit, 302 informacione për ministritë e linjës dhe 1099 me destinacion agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit.
