Në
75-vjetorin e çlirimit të Atdheut, meritonte të kujtohej e të nderohej sot edhe
25 gushti i vitit 1942, dita kur 77 vjet më parë, doli numri i parë i gazetës
“Zëri i Popullit”.
Më së pari, meritonte nderimin e Partisë Socialiste, sepse ajo nuk do të mund
të kishte shpëtuar në transformin e vet si pasardhëse prej Partisë së Punës në
kohën e shembjes së të shkuarës, pa gazetën “Zëri i Popullit”.
E mandej, meritonte vëmendjen dhe kujtesën e historianëve, të publicistëve,
gazetarëve e reporterëve, veteranëve të luftës e të shtypit, të të gjithë atyre
që kanë punuar në të dhe që e kanë dashur.
Sepse më 25 gusht 1942, Luftës së madhe çlirimtare Antifashiste të popullit
shqiptar, ju bashkua edhe “Zëri i Popullit”, gazeta partizane dhe luftëtare e
lirisë, shkolla e shtypit revolucionar e përparimtar, fjala e zjarrtë e një
populli që e bashkoi Shqipërinë me koalicionin e madh antifashist botëror!
Përgjatë gjithë ekzistencës së vet, “Zëri i Popullit” ishte dhe mbeti gazeta e
vetme ku publicistika shqiptare me të gjithë llojet dhe nënllojet e veta, njohu
larminë më të pasur dhe cilësisht në planin profesional, arritjet më të
spikatura.
“Zëri i Popullit” ka historinë e tij, padyshim të lidhur me Shqipërinë e kohës
së vet; me lavdinë dhe dramat, me profesionalizmin dhe dogmatizmin, me të
vërtetat dhe gënjeshtrat si reflektim i propagandës instrument i të cilës qe,
me heronjtë dhe martirët, me kolosët e publicistikës shqiptare dhe të
persekutuarit e rregjimit ndaj të cilit shërbeu më gjatë, por që fatalisht u
mbyll për t’u vrarë e fshirë, si një shenjë historie e papërsëritshme në
shtypin shqiptar. Si një histori që nis me Enver Hoxhën si kryeredaktorin e saj
të parë në zjarrin e luftës partizane, e mbyllet me Edi Ramën në “zjarrin” e
PPP-ve, të krimit, korrupsionit e kanabizimit e degradimit të shtetit, që
urdhëroi mbylljen e saj!
Sot, në ditën e “Zërit të Popullit”, si njëri prej kryeredaktorëve të gazetës,
dua të shpreh nderim e mirënjohje për të gjithë ata që qoftë edhe një ditë të
vetme punuan e dhanë kohë, mund e kontribut në të, pavarësisht pozicionit që
kanë patur prej nëpunësit më të thjeshtë e deri në kryeredaktor, i bindur se të
gjithë ata që jetojnë, ndjejnë nderim dhe respekt, por edhe krenari që qenë në
“Zërin e Popullit”.
E, për të gjithë ata që nuk jetojnë, një homazh nderimi, si mirënjohje për
emrin që lanë në “Zërin e Popullit”.
Nderim dhe mirënjohje sot në ditëlindjen e “Zërit të Popullit” edhe për të
gjithë ata që e lexuan, pavarësisht në e zgjodhën, në e pëlqyen apo nëse e
refuzuan.
“Zëri i Popullit” ishte dhe mbetet tribuna më jetëgjatë dhe me tirazhin më të
madh e shtypit shqiptar, por edhe gazeta me më shumë gazetarë, kryeredaktorë e
bashkëpunëtorë të vrarë, pushkatuar dhe persekutuar nga regjimi totalitar.
Qoftë edhe për këtë fakt, duhej përkujtuar me nderim!
Sepse sot është ditëlindja e “Zërit të Popullit”, dëshmitar dhe kronikan i
historisë së Shqipërisë në tri epoka.
Add A Comment
