Autoritetet greke shtynë për në muajin prill fillimin e zbatimit të Kodit të ri të Emigracionit, ndryshe nga sa ishte parashikuar të vepronte prej 1 janarit të këtij viti.
Ligji mundëson në Greqi legalizimin e emigrantëve të parregullt që jetojnë prej tre vitesh në këtë vend në mënyrë të pandërprerë dhe që kanë një ofertë nga një punëdhënës.
Kjo kategori emigrantësh pajiset me leje-qëndrimi trevjeçare duke iu siguruar akses dhe në shërbimet sociale.
Shoqatat e emigrantëve shqiptarë në Greqi i lidhin vonesat e zbatimit të ligjeve të emigracionit me kapacitetin e ulët të burimeve njerëzore në qendrat greke të trajtimit të kërkesave të emigrantëve të cilat vijojnë t`u përgjigjen me mjaft vonesë edhe aplikimeve aktuale për leje qëndrimi.