Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka dërguar sot një kërkesë Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, për thirrjen e Konferencës së Kryetarëve për fillimin e procedurës së zgjedhjes të Presidentit të ri.
Balla kërkon që Konferenca e Kryetarëve të thirret më 29 prill, me rend dite fillimin e procedurave për zgjedhjen e Presidentit dhe përcaktimin e datës së raundit të parë të votimit, për të cilën propozojnë datën 4 qershor.
Në shkresë thuhet se procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri duhet të fillojnë jo më vonë se data 24 maj, duke qenë që Ilir Metës i përfundon mandati më 24 korrik.
Të martën, Partia Socialiste pritet që të mbledhë Grupin Parlamentar ku do të bëhet dorëzimi i emrave të propozuara nga deputetët socialist për presidentin/en e re. Partia Socialiste e cila ka edhe mazhorancën e parlamentit ka ngritur edhe grupin e punës që do të zhvillojë konsultimet me grupet e tjera e parlamentare në Kuvend, për të përzgjedhur një emër konsensual.
