Më 28 prill 2017 Kuvendi do të zgjidhte si president kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Edi Rama e propozoi aleatin e tij të dikurshëm në qeveri për në krye të shtetit. Me 87 vota pro dhe 2 kundër, Meta do të zgjidhej si president pa votat e PD-së, e cila kishte bojkotuar Parlamentin.
“Unë do të bëj çdo gjë për të justifikuar besimin tuaj, por jo vetëm para jush, por gjithë qytetarëve dhe Kushtetutës. Të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve tona në mënyrë që të mos sakrifikojmë ato që kemi arritur”, tha ai ndërsa ju referua ngjarjeve të tensionuara në Maqedoni ku kishte një konflikt destabilizues mes mazhorancës dhe opozitës.
Meta u zgjodh pikërisht në raundin e katërt të votimit nga Parlamenti. Por ndaj tij u bë një presion i hapur nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili i kërkoi që të bëhet president, duke kërkuar që LSI-ja të mos bëhet pengesë, edhe pse socialistët i kishin 71 votat e nevojshme për ta zgjedhur vetë kreun e ardhshëm të shtetit.
“Ne socialistët i kemi bërë llogaritë tona dhe i kemi 71 vota edhe pa LSI për ta zgjedhur presidentin, por unë shpresoj të mos na detyroni as e marrin përsipër të shkelim mbi moralin e kësaj force politike, sepse PS nuk dëshiron ta zgjidhë me forcën e numrave këtë.
Ne kemi thënë gjithmonë që do të zgjedhim Presidentin e Republikës dhe jo fondacionit “Qemal Stafa” ndaj ju takon juve z. Kryetar që jeni vendosur mbi palët dhe ju kemi si interlokutor dhe kemi mbajtur nga ana tjetër.
Ndaj ju kërkoj të reflektoni për të mos e mbyllni këtë parlament me një argument të pajustifikuar. Si Kryetar Kuvendi ju kërkoj të shqyrtoni kërkesën e PS për të zgjedhur presidentin bashkë ose për të shkuar në zgjedhje 45 ditë!”, ishte “kërcënimi” i Ruçit.
Por menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, do të jepeshin sinjalet e para të përplasjes mes Metës dhe mazhorancës. Shkëndija e parë do të ishte deklarata e Metës se nuk do të dekretonte një qeveri e dalë nga votat e blera. Pikërisht kjo përplasje do të shënohej para se Meta të betohej në Parlament si President më 24 korrik të 2017-ës.
“Presionet dhe shantazhet që bën me votat e socialistëve që e zgjodhën edhe President, qe nuk do të dekretoj as qeverinë, janë të kota. Nëse ka këto mend të mos e bëjë betimin në 24 korrik. Nëse do shkojë me këto mend e do shkelë Kushtetutën, është burri i parë që i ka provuar të gjitha, por do të jetë edhe presidenti i parë që do të provojë shkarkimin dhe i pari që do ta firmosë do të jetë Gramoz Ruçi”, u shpreh kryetari i grupit të Partisë Socialiste gjatë një takimi të zhvilluar në Cakran të Fierit 2 vite më parë.
Kjo deklaratë mund të shihet si një “profeci” e Ruçit ndaj Metës, ku pas dy vitesh mazhoranca po ndërmerr nismën për të shkarkuar aleatin e dikurshëm politike dhe që për ironi të fatit e zgjodhi me votat e saj.
Përplasja dyvjeçare mes PS dhe Metës
Përplasja mes Metës dhe Ramës, si dhe mazhorancës socialiste do të vijonte menjëherë dhe kjo me propozimin e parë të kryeministrit për emërimin e shefit të shërbimeve sekrete, SHISH-it. Kandidatura e Helidon Bendos u mbajt pothuajse një vit pezull nga Meta, i cili kontestonte emërimin si kryeagjent të nënkryetarit të SHISH.
Krisja mes Metës dhe mazhorancës do të shënonte dhe do të përbënte edhe precedentin e parë atë të refuzimit të dekretimit të një ministri. Presidenti do të refuzonte dekretimin e Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm, duke u shprehur se nuk mund të shkelte Kushtetutën, pasi i propozuari mbante gradën e gjeneralit.
Kjo riktheu edhe një herë paralajmërimin për një shkarkim të Metës si President. Dhe kjo u cilësua si krisja e parë mes mazhorancës dhe presidentit, e në atë kohë Rama do të shpresonte që kjo krisje kushtetuese të mos kalonte në çarje dhe të riparohej në kohë.
“Unë vetë nuk e kam humbur besimin se presidenti i Republikës nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit mbi këtë temë, edhe pse afati ka skaduar. Koha më ka mësuar që unë të mos e them fjalën e fundit të parën dhe vendi më kanë mësuar që ta respektoj radhën e lëvizjes.
Do t’i japim ca ditë kohë, jo vetëm Presidentit të Republikës që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë, por dhe vetes për të hedhur hapin tjetër.
Krisja është kushtetuese. Uroj të gjejmë edhe nga ana e presidentit të Republikës dëshirën dhe durimin për të mos ta çuar krisjen në thyerje, që sigurisht nuk do të jetë fundi i botës, por patjetër është në të mirën e vendit dhe të gjithëve bashkë që ta shmangim.
Askush tjetër, përveç popullit sovran, as e ka dhe as e merr dot të drejtën të na pengojë në ushtrimin e mandatit tonë kushtetues. Kjo vlen edhe për presidentin e Republikës”, do të deklaronte kryeministri Rama para Parlamentit në nëntor të 2018-ës.
Meta do të krijonte mos bindje për të mos dekretuar Lleshajn, ndërsa Rama do ta ridërgonte për të dytën herë dekretin për emërimin e ministrit me të njëjtin emër, duke gjetur si zgjidhje edhe shkarkimin e tij si gjeneral.
Por përplasjet nuk do të përfundonin këtu. Ato të riaktivizoheshin sërish me ndryshimet e thella në qeveri në fundin e 2018-ës, ku presidenti do të bëhej një barrierë e fortë për emërimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm.
Konflikti do të rindizej sërish, ndërsa presidenti do të deklaronte se refuzonte emërimin e Cakajt si ministër të Jashtëm, duke dhënë edhe argument, si dhe duke i kërkuar Parlamentit që të niste një komision hetimor për mënyrën se si Cakaj u pajis me certifikatën e sigurisë.
Pavarësisht se në skenë doli Ruçi, i cili negocioi me Metën, presidenti nuk do të preferonte zëvendësimin e Ditmir Bushatit me Gent Cakajn, por zgjidhja erdhi, ku Rama u tërhoq, duke marrë vete dekretin e Ministrit të Jashtëm dhe duke ia deleguar atë cakajt.
Përplasjet e Metën do të ishin me Parlamentin dhe me kthimin e ligjeve për rishqyrtim, ku dy herë presidenti do të rikthente ligjin për prishjen e ndërtimit e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu për herë të parë një president do të kthente mbrapsht edhe ligjin e buxhetit të shtetit të një qeverie.
Nga ana e saj mazhoranca është hakmarrë duke i rrëzuar po dy herë presidentit kandidaturën për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucion që edhe sot e kësaj dite nuk e ka zgjedhur kryetarin.
Mes Ramës dhe Metës konflikte ka pasur edhe për sa i përket qëndrimeve në politikën e Jashtme, pikërisht çështjes së një shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenti dhe Kryeministri nuk reshtën duke dhënë qëndrime të kundërta sa i përket mënyrës së zgjidhjes së idesë së hedhur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh, pra rishikim të kufijve.
Pas dy vitesh, marrëdhënia mes presidentit dhe mazhorancës socialiste nga krisja kaloi në çarje përfundimtare.