Pa kaluar mirë 11 Maji, në vjeshtë do të ketë zgjedhje, por të parakohshme në vetëm 3 bashkitë e vendit. Qytetarët e Matit, Beratit dhe Tepelenës do të thirren për herë të dytë para kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj, pasi të vjetrit u bënë deputetë.
Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi thotë se vjeshta është periudha e përshtatshme për ta kryer procesin zgjedhor në bashkitë e mbetura pa kryetar.
”Të tre bashkitë padyshim duhet të shkojnë në zgjedhje edhe besoj periudha e përcaktuar në kod pra vjeshta, është periudha e përshtatshme për ta kryer këtë proces. Tre bashkitë të cilat janë në garë pas dorëheqjes së tre kryetarëve, janë në planet organizative të PS-ës dhe shkojmë për t’i fituar të treja bashkitë.
Kemi filluar, të paktën në Mat për përzgjedhjen e kandidaturave, për rifreskimin e strukturës elektorale, por besoj edhe Berati dhe Tepelena. Pasi të shpallet data nga presidenti ne do të jemi të gatshëm të garojmë dhe t’i fitojmë të treja bashkitë”, deklaroi Klosi.
