Ministria e Brendshme u është drejtuar të gjithë qytetarëve në 6 bashkitë në të cilat do të ketë zgjedhje për kryetar bashkie në 6 mars, se ata që kanë aplikuar për mjet identifikimi (kartë identiteti) gjatë këtyre ditëve, do mund t’i tërheqin ato të shtunën.
Tërheqja e tyre nga qytetarët do të bëhet pranë zyrave të “Aleat” të cilat do të jenë të hapura për këtë shkak.
Kujtojmë që ky proces zgjedhor vlen vetëm për 6 bashkitë: Durrës, Shkodër, Lushnjë, Vorë, Dibër e Rrogozhinë.
Njoftimi i Ministrië së Brendshme:
Ministria e Brendshme në bashkëpunim me koncesionarin e prodhimit të dokumenteve biometrike “Aleat” kanë marrë të gjitha masat që qytetarët, që kanë aplikuar për t’u pajisur me kartën e re të vlefshme biometrike, t’ju prodhohet me një afat të përshpejtuar.
Për aplikimet në 6 njësitë lokale ku do të mbahen zgjedhje, ID kartat do të jenë gati deri ditën e shtunë, e mund të tërhiqen pranë zyrave të “Aleat”, që do të qëndrojnë të hapura. Theksojmë se ky proces vlen vetëm për 6 bashki, Durrës, Shkodër, Lushnjë, Vorë, Dibër e Rrogozhinë ku zhvillohet proces elektoral.
Zyrat do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë, për t’u siguruar që të gjithë qytetarët që tashmë kanë aplikuar të kenë një mjet të vlefshëm identifikimi me të cilin të ushtrojnë të drejtën e votës.