Pedagogia Jonila Godole, njëherësh anëtare e kryesisë së PD, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Humbja e përsëritur e opozitës, sipas saj, është përgjegjësi direkte e lidershipit.
“Ata që shfaqen sot si kokulur para demokratëve, por dhe të tjerët që heshtin në lidership, në kryesi, grupin parlamentar dhe organet e tjera drejtuese, mbajnë përgjegjësi direkte për rezultatin katastrofik të PD-së në zgjedhjet lokale, në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë. Sepse qenë ata që nuk e organizuan siç duhej partinë për zgjedhje, nuk respektuan vendimin për 61 kandidatë, më pas i bojkotuan kandidatët dhe strukturat në terren, dhe i shtynë dhjetëra mijëra demokratë e mbështetës të së djathtës të mos i votojnë. Sovrani foli. Rezultati është i qartë. PD duhet të tregojë që është ndryshe, që mban përgjegjësi për gabimet e saj, për pafuqinë dhe paaftësinë që tregoi për të qenë një alternativë serioze në qeverisjen lokale. Dhe kjo nuk arrihet duke mbyllur sytë e gojën para realitetit, por duke e hapur partinë për zgjedhje dhe garë, për një vizion të ri dhe një lidership që nuk bart me vete “skelete” në qilaret e pushtetit të korruptuar politik 32 vjeçar”, shkruan Godole.