Për zgjedhjet e 11 majit, në çdo qendër votimi do të vendoset një koordinator sigurie i cili do të ketë për detyrë të vëzhgojë perimetrin e qendrës për njerëz që mund tu bëjnë presion votuesve.
Urdhri u miratua sot nga Komisioneri Celibashi: “Për rendin dhe sigurinë në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit, si dhe përreth tyre, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.”
Urdhëri i miratuar parashikon që çdo KZAZ, me vendim të posaçëm, cakton si Koordinatorë të Sigurisë dy anëtarë të Komisioneve te Qendrave te Votimit për çdo vendndodhje QV-je, në përputhje me udhëzimet e miratuara nga KQZ, që janë propozuar një nga partia kryesore e shumicës parlamentare dhe tjetri nga partia kryesore e opozitës parlamentare.
KZAZ-ja harton dhe i dërgon KQZ-së dhe Policisë së Shtetit listën emërore të Koordinatorëve të Sigurisë, e cila përmban: emrin dhe mbiemrin, numrin e QV-së / ve dhe vendndodhjen, si edhe numrin e kontaktit personal. Koordinatorët do të monitorojnë vazhdimisht mjediset e jashtme të QV-së, përfshirë oborret, hyrjet dhe perimetrin 150 metra.