Aleatët e PD-së ngjitën shkallët e selisë blu edhe këtë të martë për të përcaktuar detajet e fundit në listat e deputetëve të koalicionit për “Shqipërinë Madhështore”. Fatmir Mediu dhe Agron Duka zhvilluan takimet e fundit për të ndarë përfundimisht pozicionet në listën shumemërore, për zyrtarizimin e të cilës do të duhet të presin të mërkurën.
Në limitet e fundit të afatit kohor, është parashikuar edhe mblidhja e forumeve të PD, Kryesia dhe Këshill Kombëtar. Në fillim emrat e përzgjedhur do të filtrohen nga Kryesia orën 17:00, e cila do të marrë për bazë edhe angazhimin e kandidatëve për regjistrimin e diasporës. Këshilli Kombëtar në orën 19:00 do të miratojë listën e filtruar nga Kryesia e cila do të dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda mesnatës së datës 12 Mars.
Nga ana tjetër, Ilir Meta ka refuzuar ofertën e Berishës për të qenë në listën e mbyllur. Ai do të jetë në listat e hapura si kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ky ishte vendimi i Metës, i cili u miratua dhe nga Kryesia e Partisë së Lirisë. Berisha i ofroi mandat të sigurtë për në listën e Fierit.