30 qershori është vetëm pak ditë larg, por kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi shpreson në një reflektim nga të gjithë aktorët politikë, dhe posaçërisht nga Kryeministri.
E ftuar në RTV Ora, Ademi thotë se pas përgjimeve të “Bild” edhe ndërkombëtarët duhet të pozicionohen dhe të ndalojnë një kaos të mundshëm.
Ademi: Shpresoj të mos arrijmë 30 qershorin në këtë gjendje. Gjithmonë ka një mundësi për tu tërhequr në emër të Zotit, ligjit, qetësisë dhe paqes sociale.Kishim menduar se nuk kishim prekur fundin, tani e kemi prekur dhe nuk ka më dyshime.Për të gjithë ndërkombëtarët është mëse e qartë, kemi nevojë për pozicionimin e të gjithëve në emër të demokracisë dhe fatit që kemi lidhur me këtë vend. Nuk dua të mendoj se do të jetë një katrahurë apo kaos që të gjithë ne mund ta ndalojmë. Duhet të fillojë me dorëheqjen e kryeministrit, heqjen nga pozicioni i tij që mban peng të gjithë vendin, institucionet dhe jetët e njerëzve.
Por nuk është kaq optimiste kryebashkiakja e LSI-së në Prrenjas Miranda Rira, e cila përplasjen e sheh të pashmangshme. Madje duke treguar vendosmërinë e saj për zbatimin e dekretit të Presidentit, ajo thotë se nuk do të lëshojë zyrën e Bashkisë.
Rira: Jam e keqardhur që kreu i PD-së së Prrenjasit, një baba i dy vajzave të vogla është në arrest me burg. Kjo është e pafalshme. Nuk e di nëse Rama ka ndërmend të burgosë të gjithë ata që kanë mendim ndryshe.Jam e prirur të zbatoj dekretin e presidentit. Nuk do të dal nga zyra ime nëse tre apo katër eunukë të KQZ-së thonë se duhet zbatuar urdhri politik i Edi Ramës. LSI dhe PD janë të vendosura për ti bërë ballë çdo lloj përplasje dhe çdo lloj skeme që Edi Rama kërkon ta çojë vendin. Situata është shumë serioze, patjetër që do të ketë përplasje. Ky njeri po e çon vendin në vëllavrasje.