Rezultati është shumë i ngushtë mes dy garuesve për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Stevo Pendarovski ka 4600 vota më shumë se zonja Gordana Siljanovska. Zoti Pendarovski ka 42,85% kundrejt 42,24% që fituar garuesja e VMRO-së.
Ndërkohë zoti Blerim Reka ka fituar afro 80 mijë vota ose përkatësisht 10,57% të votave. Rretj 4.35% e votave janë cilësuar si të pavlefshme, një numër jo i vogël që analistët thonë se tregon për dëshpërimin e qytetarëve ndaj përfaqësuesve të politikës.
Të dy kampet maqedonase, VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate e kanë quajtur rezultatin si fitore të tyre, madje VMRO-ja opozitare përmes euforisë e cilësoi si një “ngadhnjim të madh ndaj Zoran Zaevit” që është kryeministër i vendit dhe kryetar i LSDM-së. Drejtuesi i opozitës, Hristijan Mickovski, mbrëmë vonë, tha se Maqedonia tani ka një realitet të ri: “korri fitore të drejtë me krenari, dinjitet dhe nderë”, u shpreh.
‘Fituam! Fituam!’, iu drejtua ai partisë së tij nga selia e asaj që njihet si ‘Pallati i Bardhë’ në qendër të Shkupit. “Politikat antishtetërore dhe kriminaliteti u mundën”, u shpreh Mickovski.
VMRO-ja megjithatë nuk i konsideron votat e shqiptarëve që votuan zotin Pendarovski.
Ndërkohë vetë Siljanovska është shprehur me tone tëheqëse ndaj elektoratit të zotit Blerim Reka, duke shpresuar se në balotazh do të ketë mbështejen e tij.
Nga ana tjetër, edhe Lidhja Social Demokrate me tone më të matura e quajti fitore të raundit të parë të kandidatit të saj Stevo Pendarovski. Kryeministri Zaev u bëri thirrje të gjitha komuniteteve etnike që në balotazhin e 5 majit të votojnë për konceptin “për Maqedoninë e Veriut drejt BE-së dhe NATO-s e jo për kthim prapa”.
‘Pres që qytetarët të cilët e votuan Blerim Rekën, më 5 maj të veprojnë me përgjegjësi dhe kontribuojnë për rrugën që çon përpara’, tha zoti Zaev.
Kandidati Stevo Pendarovski thotë se balotazhi do të jetë më i lehtë sepse dallimi mes tij dhe Siljanovskës është tepër i madh.
Blerim Reka, i mbështetur nga partitë shqiptare të opozitës Aleanca dhe Besa përsëriti se nuk do të orientonte votuesit se për kë ta japin votën e tyre në balotazh. Ai tha se do ta vlerësojë çështjen e kyçjes në politikë pasi të shohë nëse ka marrë më sumë vota se i gjithë Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet e fundit lokale.
Mendohet se ata që votuan zotin Reka vështirë se do ta përkrahnin zonjën Gordana Siljanovska të VMRO-së në balotazh për shkak të retorikës nacionaliste kundrejt shqiptarëve të partisë së saj. Në balotazh duhet të marrin pjes 40% e votuesve të regjistruar në mënyrë që procesi të llogaritet i vlefshëm.
Në zgjedhjet e së dielës u vërejt një pjesëmarrje e ulët sidomos në komunat e banuara me shumicë shqiptare, megjithëse zgjedhjet presidenciale në këtë vend nuk tërheqin shumë votues ndërsa kohët e fundit ka patur mjaft debate nëse presidenti do të duhej të vazhdojë të zgjidhet me vota popullore apo në parlament me dy të tretat e votave. Por, për këtë të fundit duhen ndryshime kushtetuese. Po ashtu edhe politike të cilat e dinë se nuk i fitojnë dot zgjedhjet presidenciale e përdorin këtë për t’i matur forcat midis tyre.