Kremlini ka mirëpritur fitoren në zgjedhjet parlamentare të shpallur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.
Vuçiç ka deklaruar se partia e tij, Partia Progresive Serbe (SNS), ka fituar zgjedhjet e 17 dhjetorit, përderisa autoritetet zgjedhore deri më tani kanë publikuar rezultate preliminare me 35 për qind e votave të numëruara.
“Ne mirëpresim këtë arritje nga zoti Vuçiç”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai shtoi se Moska shpreson që rezultati do të çojë “në forcimin e mëtejmë të miqësisë” mes dy shteteve. Peskov po ashtu iu referua Serbisë si shtet “vëllazëror”.