Enkelejd Alibeajt ka thirrur nesër mbledhjen e grupit parlamentar të PD, me temë kryesore procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, pasi Ilir Metës i përfundon afati në korrik.
“Secili anëtar i grupit mund të sugjerojë kriteret që do propozojmë për zgjedhjen e Presidentit, dhe rregullat e procedurës që do ndiqen për përzgjedhjen konsensuale, ku opozita të ketë rol thelbësor në proces”, ka thënë Alibeaj.
Ndërkohë që nuk kanë munguar as kundërshtimet.
Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit kanë mohuar kategorikisht uljen me socialistët në tryezë për Presidentin e ri, duke pretenduar se gjithçka është farsë. Po ashtu, ata nuk njohin Alibeajn si drejtues të grupit parlamentar, pasi është shkarkuar në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 30 prill.
Herën e fundit që grupi parlamentar u mblodh me kërkesë të tij nuk plotësohej numri i mjaftueshëm për kuorumin, pasi krahas bojkotit nga deputetët e “Rithemelimit”, Alibeaj nuk mbështetet më as nga 15 deputetë të tjerë që kanë zgjedhur të jenë neutralë.