Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, me shumicë votash, ka vendosur rrëzimin e kërkesës ankimore të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për bashkinë e Elbasanit.
KAS la në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë dhe për Këshillin e Bashkisë, në zonën zgjedhore Bashkia Elbasan, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”.
Në bazë të kësaj tabele, bashkia Elbasan është fituar nga PS si në garën për kryetar bashkie, ashtu edhe për këshillin bashkiak.
Ankimimi
Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, kërkonte ekspertimin kompjuterik të çdo pajisjeje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike.
“Kjo të realizohet nga ekspertë të huaj të pavarur nga institucionet shtetërore apo Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Për këtë nevojitet që pajisjet të ruhen në kushte të përshtatshme në gjendjen aktuale me qëllim mosndërhyrjen nga personat e paautorizuar si dhe të mirëruajtura nga agjentët atmosferikë.”- thuhej në ankimim.
“BF” kërkonte edhe krahasimin e rezultatit elektronik të zgjedhjeve me rezultatin fizik (fletëve të votimit të gjendura në kuti) për çdo qendër votimi.
Në kërkesë përfshihet edhe kqyrja e kamerave të jashtme dhe të atyre të përdorura brenda qendrave të votimit me qëllim, sipas ankimimit, “evidentimin e të gjithë personave të paautorizuar apo pjesë e administratës vendore dhe qëndrore në nivel specialist apo drejtuesi, që kanë qënë gjatë gjithë kohës nëpër qendra votimi”.
“BF” kërkonte edhe evidentimin e mosnënshkrimit të deklaratave përkatëse për votuesit që janë shoqëruar, si dhe evidentimin e votimit nga vetë Operatorët e PEVN-ve, të komisionerëve për llogari të votuesve.
“Krahasimin e kodeve të votuesve me listën e votuesve për çdo QV në Bashkinë Elbasan, në lidhje me pajisjen e identifikimit të votuesve (PED). Rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit te njësisë zgjedhore, Bashkia Elbasan dhe miratim i tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Elbasan duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votive”- thuhej në ankimim.
“Bashkë Fitojmë” kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve të zhvilluara në zonën zgjedhore Bashkia Elbasan.
Vendimi
Por KAS, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore dhe la në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Elbasanit i dhanë fitoren kandidatit të PS-së, Gledian Llatja me 56.38% të votave të vlefshme, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi mori 43.62% të votave.