Teksa data e zgjedhjeve vendore afron, në PS kanë filluar që të qarkullojnë edhe emrat e kandidatëve potencialë.
Burime për tirananews.al bëjnë me dije se dy nga emrat që mund të kandidojnë nën siglën e PS janë zv. ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Ornela Çuçi dhe deputeti Flamur Golemi. Aktualisht Flamur Golemi është një nga 140 deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Ai ka lindur në Gjirokastër, më 11 Prill 1976, ndërsa studimet e larta i ka përfunduar në Universitetin e Tiranës për Mjekësi të Përgjithshme, në vitet 1996-2002. Ka punuar si mjek në shërbimin parësor në Gjirokastër për dy vjet dhe më pas ka vijuar studimet në Mjekësi për Okulistikë. Filloi punën si mjek okulist në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, pranë “Athens Eye Clinic”, dhe si lektor i jashtëm në Universitetin “Eqerem Çabej”. Ndërsa Ornela Çuçi ka lindur në Gjirokastër në vitin 1982, është nënë e dy djemve. Në vitin 2004 kreu studimet pranë Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, për Biologji dhe Kimi. Më pas në 2009-ën përfundoi studimet e masterit pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, për Shkencë dhe Teknologji Mjedisore. Gjithashtu pranë këtij universiteti që nga viti 2017 mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave”, bazuar në kërkimin shkencor mbi impaktin e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe ndotjen e tokave në jug të Shqipërisë (rast studimor, qarku i Gjirokastrës). Prej vitit 2011 e deri më sot znj. Çuçi shërben si lektore e ftuar në Universitetin e Gjirokastrës, Universitetin Evropian të Tiranës, Universitetin Politeknik të Tiranës dhe është autore e shumë shkrimeve dhe studimeve të publikuara në revista shkencore vendase dhe të huaja për fushën e mjedisit. Në vitin 2016, Këshilltare e Kryeministrit mbi çështjet mjedisore dhe Koordinatore Kombëtare për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane. / tirananews.al