Në sheshin “Skënderbej”, mes atmosferës festive dhe pranisë së qindra qytetarëve, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit me rastin e 28 Nëntorit. Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, u shpreh se kjo ditë është më shumë se një përvjetor historik, është një moment reflektimi dhe premtimi për të ardhmen. Ajo theksoi se 28 nëntori, nga Skënderbeu te Pavarësia e 1912-s, nga lindja e Adem Jasharit te miratimi i Kushtetutës së 1998-s, mbart në vetvete kujtesën, identitetin dhe aspiratat e shqiptarëve.
“Të thuash se 28 nëntori është ditë e rëndësishme është thuash pak sepse nuk mban vetëm një trashëgimi por mban një premtim kjo ditë sot. Është një kujtesë, mbi çfarë kemi qenë, kush jemi dhe kush duam të jemi. Shqiptarët në çdo brez kanë ditur të ngrihen për lirinë, për dinjitetin dhe për të ardhmen. Prandaj, sot ndërsa ndërtojmë Shqipërinë moderne, evropiane, të hapur, 28 nëntori nuk është një përkujtim por është një premtim se rrugëtimi vijon dhe do e çojmë përpara me të njëjtën kurajo që kemi ndriçuar historinë tonë”, theksoi ajo.
Në vijim, Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës theksoi se pavarësia nuk është vetëm histori, por një detyrë e përditshme për të ndërtuar institucione të forta, shtet ligjor dhe një shoqëri të orientuar drejt standardeve europiane. Më tej, ajo u theksoi se sot, 113 vjet më vonë, është radha jonë t’i japim zë, po të njëjtit mesazh.
“Me punën tonë, me integritetin tonë, me institucionet që ndërtojmë çdo ditë. Prandaj sot, teksa flamuri ynë valëvitet mbi Tiranën e rritur, të ndryshuar dhe të afruar me standardet evropiane, le ta kujtojmë këtë të vërtetë të thjeshtë e të fuqishme: Flamuri ynë nuk valëvitet vetëm nga era, por nga vullneti. Valëvitet mbi një Shqipëri që ecën me hap të sigurt. Mbi një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe të fortë. Mbi një Shqipëri që e vizaton të ardhmen, duke e ndërtuar sot shtetin, ligjin dhe besimin tek ai”, deklaroi Ristani.
Kryeqyteti do të festojë 28-29 nëntorin me një kalendar të gjerë aktivitetesh duke i shndërruar në një qendër të madhe festive. Për dy ditë në radhë qytetarët do të kenë akses falas në institucionet kulturore dhe në aktivitetet e tjera publike, nga performanca e Ansamblit Popullor e deri te koncerti madhështor në sheshin ‘Skënderbej’.
