Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme një gomisteri në zonën e Shkozetit, në Durrës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Katër shërbime zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje për të vënë nën kontroll flakët. Për shkak të rrezikut nga përhapja e zjarrit në zonat përreth, policia ka devijuar trafikun në rrugët afër gomisterisë dhe ka ndaluar përkohësisht qarkullimin e automjeteve.
Si masë paraprake, një pjesë e lagjes Shkozet u përball me ndërprerje të energjisë elektrike për të shmangur rreziqe të mëtejshme.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve bëri të mundur parandalimin e përhapjes së zjarrit në bizneset dhe banesat përreth.
Autoritetet janë ende në vendngjarje dhe po vijon puna për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.
