Një konflikt i çastit mes punonjësve të Shërbimit Zjarrfikës në Kavajë bëri që njëri prej tyre të kërcënonte me thikë dy të tjerë me thikë. Lajmi bëhet i ditur ngaAgjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila në një njoftim për mediat, thotë se ka referuar në prokurori punonjësin 52-vjeçar i cili kërcënoi kolegët.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës) ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës materialet procedurale në ngarkim të punonjësit të MZSH-Kavajë, T. R., 52 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kanosje”. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore dhe deklarimeve të marra, rezulton se shtetasi T. R. ka kanosur me thikë pas një konflikti të çastit, dy kolegët e tij, të cilët ndodheshin në krye të detyrës”, tha AMP në një njoftim për mediat.
Ndërkohë, gazetari Besar Bajraktaraj thotë se ngjarja në fjalë ndodhi pasditen e të hënës dhe në konflikt u përfshinë dy punonjës. Në sherr e sipër, 52-vjeçari i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur, mori thikën e tentoi ta godasë kolegun me të cilin po zihej. E gjatë kësaj kohe, kërcënoi edhe një tjetër punonjës i cili ndodhej në detyrë.