Helikopterë të ushtrisë janë angazhuar nga ajri për të shuar zjarrin në zonën e Dukatit në Vlorë.
Vatra e zjarrit është riaktivizuar të shtunën pasi ishte fikur dy ditë më parë.
Për shkak të terrenit të vështirë malor, u desh ndërhyrja nga ajri për të mbajtur nën kontroll flakët.
Zjarri, që deri tani ka shkrumbuar me qindra pisha dhe bredha, rrezikon Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Për këtë arsye, të paktën 50 efektivë po punojnë për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt Llogarasë.
Për të ndjekur situatën nga afër, ka shkuar në terren edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me ministrin e Emergjencave Civile, Haki Çako.
Sipas ministrit Vengut, orët në vijim do të jenë të vështira për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Të paktën 50 efektivë janë në terren duke punuar për shuarjen e zjarrit.
“Do jenë orë të vështira për efekt jo vetëm të termometrit, por edhe të erërave të forta që ka zona, ndaj duhet të ruajmë vigjilencën maksimale. Operacioni i mbështetjes nga ajri me helikopterët Cougar do të vijojë gjatë gjithë ditës në mënyrë që të kemi të gjithë instrumentet në dispozicion”, tha ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Ndërkohë, kujtojmë se në mbarë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive.
Aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:
* Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, zjarri po zhvillohet në dy vatra të ndara – një në “Fusha e Pelave” aktive dhe tjetra mbi fshatin Gurë-Lurë nën monitorim.
* Bulqizë: Në “Livadhi i Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër aktive mbi fshatin Krajkë, në terren të vështirë me shkurre dhe dushqe.
* Mat: Në Zall Gjoçaj (“Përroi i Zi”), zonë e mbrojtur me pisha dhe ah; relievi i thyer e vështirëson ndërhyrjen.
* Dibër: Në Dovolan (Maqellarë), zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt Pejkës dhe zonës pranë Drinit të Zi.
* Mallakastër: Në fshatin Belishovë, zjarri i ardhur nga Drenova vijon aktiv.
* Vlorë: Në “Qafa e Shëngjergjit”, mbi Dukat (Orikum), është riaktivizuar një vatër në majën e Paliskës. Janë angazhuar forca vendore, FA dhe helikopteri.
* Tepelenë: Në afërsi të Beçishtit, pranë antenave celulare, zjarri është nën monitorim.
* Kurbin: Në Shkopet (Milot), pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur izolimi i zjarrit; janë djegur rreth 65 ha pyje.
* Elbasan/Librazhd: Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq, zjarri ka përfshirë pyll gështenje me përmasa të mëdha.
Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 90 hektarësh të djegur.
