Një zjarr i madh pyjor në Hürtgenwald, në Gjermaninë perëndimore, ka detyruar më shumë se 2 mijë banorë të evakuohen të premten, pasi flakët u përhapën në drejtim të fshatit Gey, pranë kufirit me Belgjikën.
Banorëve iu kërkua të largoheshin rreth orës 04:00 të 14 gushtit, duke marrë me vete vetëm sendet më të nevojshme, dokumentet dhe ilaçet. Autoritetet ngritën një qendër pritjeje në një shkollë pranë zonës së prekur.
Situata mbetet kritike, pasi flakët janë afruar deri në 300 metra nga fshati. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar zjarrfikës, policia federale dhe ushtria gjermane.
Operacioni është vështirësuar nga prania e municioneve të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore në pyjet përreth. Gjatë zjarrit janë dëgjuar edhe shpërthime të herëpashershme.
Rreth 300 hektarë pyje janë përfshirë nga flakët, ndërsa dy tanke të ushtrisë po ndihmojnë zjarrfikësit duke hapur rrugë në zonat e vështira për t’u arritur.
Autoritetet paralajmërojnë se situata është ende larg normalizimit, pasi në zonë vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri dhe ka shumë prush, çka mund të favorizojë përhapjen e mëtejshme të flakëve.
