Zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë inspektoi kantierin e Autostradës Tiranë-Durrës, ku tashmë punimet kanë avancuar ndjeshëm. Balluku theksoi se ky është një nga kantieret që po ecën më mirë në të gjithë Shqipërinë. ”Ndodhemi në fazën e dytë të këtij kantieri. Faza e parë ka një ecuri të mirë të qëndrueshme, 65%. Ndërkohë që faza e dytë ka 80% ecuri”, u shpreh Balluku. Ajo shprehu bindjen se për festat e fundvitit do ta kemi dorëzuar.
”Pavarësisht se afati kontraktual është shtatori i vitit 2026, ne jemi afër 200 metrave të fundit, afër mbikalimit të Kasharit. Jemi duke krijuar trasenë aty për pjesën e re dhe shpresojmë ta dorëzojmë 9 muaj para afatit”, tha Balluku. Zv/kryeministrja theksoi se tashmë autostrada Tiranë-Durrës në 6 kilometrat e parë, duke nisur nga “Casa Italia” dhe deri në mbikalimin e Kasharit kthehet në një autostradë të tipit A me një gjerësi 32.5 metra.
”Autostrada ka 3 korsi nga të dyja krahët plus një korsi emergjence, pra bëhet me katër korsi nga të dyja krahët. Ecuria e projektit është shumë e mirë. Faza e parë është 65 %, ndërkohë në fazën e dytë e kemi 85%. Kemi edhe dy nyjet lidhëse njërën me Laknasin dhe tjetra ura e re që do të ndërtohet për njërën nga hyrjet në Rinas”, u shpreh Balluku.
”Kemi nisur nga puna edhe për të bërë një ndryshim brenda tuneleve të Shqiponjës për sa i përket arredimit duke qenë se janë hyrje zyrtare të Tiranës. Ndërkohë që po punohet në të gjithë vendin dhe në të gjitha akset rrugore për sa i përket pastrimit nga ndërtimet pa leje në afërsi të akseve rrugore që nuk kanë respektuar distancën. Gjelbërimi do të jetë një element thelbësor për gjitha akset kombëtare”, siguroi Balluku.








