Grupi Ndërkombëtar i Punës për Sigurinë Industriale (MISWG), organizuar për herë të parë në Shqipëri, mblodhi këtë të hënë në Tiranë përfaqësues nga 38 shtete të ndryshe dhe 5 struktura të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë NATO dhe BE.
Zv/kryeministrja Belinda Balluku tha gjatë fjalës së saj, se është thelbësore të ndërtojmë qëndrueshmëri kibernetike kombëtare dhe të krijojmë bashkëpunim të fortë me aleatët dhe me partnerët tanë. Për të fusha e sigurisë është transformuar në mënyrë dramatike dhe bashkë me këtë ndryshim janë shtuar edhe kërkesat për zgjerimin e industrive tona të mbrojtjes. Sipas saj, aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, po përdorin gjithnjë e më shumë operacione hibride dhe influencë dashakeqe për të projektuar fuqinë dhe për të minuar rendin global.
“Luftërat e sotme zhvillohen jo vetëm në fushëbetejë me armë konvencionale, por dhe në hapësirën kibernetike, ku infrastruktura kritike, linjat e furnizimit dhe industritë e mbrojtjes janë objektivat e tyre të preferuara. Një nga gjërat më të rëndësishme që mësuam është se, pavarësisht nga madhësia e shtetit, është thelbësore të ndërtojmë qëndrueshmëri kibernetike kombëtare dhe të krijojmë bashkëpunim të fortë me aleatët dhe me partnerët tanë. Kjo na çon në çështjen thelbësore të zinxhirit të furnizimit, i cili përbën një nga dobësitë më serioze globalisht”, deklaroi Balluku.
Balluku theksoi se sjellja agresive e aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë pengon aftësitë tona për të mbajtur zinxhirët e furnizimit të qëndrueshëm, të cilët janë thelbësorë për prodhimin e mallrave ushtarakë dhe operacioneve të mbrojtjes. Në këtë kornizë më të gjerë, theksoi Balluku, vihet re qartazi kalimi i Shqipërisë nga një konsumator i sigurisë në një ofrues sigurie në rajon.
“Interesat tona strategjike janë në përputhje me ato të demokracive perëndimore, janë në përputhje me kërkesat e NATO-s dhe BE-së. Jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat në rritje të rajonit, që përfshijnë manipulimin e informacionit, përpjekjet destabilizuese dhe aktet armiqësore nga vende të treta në lidhje me interesat politikë sigurisht në radhë të parë, por më pas edhe ato dhe ekonomikë pikërisht në një nga zonat më të nxehta atë të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ajo.