Zëvendësministri i Brendshëm i Greqisë, Kostas Gjolekas, vizitoi dje Korçën, i shoqëruar nga një delegacion me përfaqësues të biznesit, të qeverisjes vendore dhe të universiteteve të Greqisë Veriore.
Ai zhvilloi takime edhe me anëtarë dhe përfaqësues të pakicës etnike greke në Korçë, ku artikuloi disa deklarata disi provokuese, që linin të kuptohej se grekët kanë jetuar dhe vijojnë të jetojnë në Korçë.
“Çdo grek duhet të kalojë edhe nëpër Korçë, për të parë rrënjët e popullit tonë që ishte këtu e që vazhdon të jetë këtu”, deklaroi Gjolekas gjatë takimit me Mitropolitin Anastasios, sipas agjencisë shtetërore greke të lajmeve.
Mitropoliti nga ana e tij e informoi zëvendësministrin se në Korçë ka një muze kishtar me 7,000 ikona dhe theksoi se qytetarë të feve të ndryshme bashkëjetojnë në harmoni atje.
“Ne jemi një Kishë e vogël, e cila gjithmonë ka nevojë për miq që do ta ndihmojnë. Miqtë gjithashtu duhet ta kuptojnë se kjo Kishë e vetme nuk do të jetë në gjendje të zhvillohet”, theksoi mitropoliti dhe shprehu gëzimin e tij për vizitën e zëvendësministrit grek.
Gjatë vizitës, Gjolekas dhe delegacioni që e shoqëronte u ndalën edhe në godinën historike të Konsullatës Greke në Korçë, ku zyrtari u takua me konsullin Asterios Buzias.
