Zv.minstrja e Bujqësisë Ermira Gjeci njoftoi se në 24 orët e fundit nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv me gripin e shpendëve në vend. Gjeci theksoi se nuk ka asnjë vatër të re dhe se po vijon groposja e shpendëve që kanë ngordhur gjatë ditëve të fundit. Sipas zv.ministres situata paraqitet e qetë, ndërsa AKU vazhdon me kontrollet në të gjithë vendin.
“Në lidhje me situatën gjatë 24 orëve nuk kemi pasur konfirmimi për asnjë rast të ri pozitiv. Po ashtu nuk kemi pasur denoncime. Në të gjithë territorin vazhdon procesi i groposjes së shpendëve të ngordhur.
Nga kontrollet e kryera situata paraqitet e shëndetshme pasi nuk ka vatra të tjera. Kontrollet po vazhdojnë në të gjithë territorin nga AKU dhe nuk janë konstatuar shkelje”, u shpreh Gjeci.
Kur u pyet për pastrimin e plotë nga infeksioni, Gjeci u shpreh se ka ende kafshë të gjalla që duhet të eliminohen në kompleksin në Xhafzotaj dhe më pas të groposen, proces i cili merr 5-6 ditë kohë.
“Ne jemi në procesin në kompleksin në Xhafzotaj që është proces i gjatë, ka kafshë ende të gjalla që kanë destinacion eliminimin e tyre dhe procedura kërkon që të eliminohen gradualisht dhe të groposen, në të kundërt shkaktojnë problematika.
I gjithë procesi i groposjes merr kohë, nga 5-6 ditë. Lidhur me vatrat e tjera, janë të pastruara, kanë numër të vogël të ngordhjeve por duhet të vijojnë me protokollin e dizenfektimit”, shprehet Ermira Gjeci.
