Nga Lecce, zv. presidenti i KE-së, Rafaelle Fitto, vuri në dukje faktin se Shqipëria dhe Mali i Zi janë në pararojë të procesit të zgjerimit.
“Ekzistojnë programe ndërkufitare përmes të cilave punojmë në këtë drejtim. Kemi, për shembull, programin Interreg mes Pulias, Shqipërisë dhe Malit të Zi, i cili nuk është zgjedhur rastësisht, sepse Shqipëria dhe Mali i Zi ndodhen padyshim në një fazë shumë të avancuar sa u përket rezultateve të arritura për t’u anëtarësuar së shpejti në familjen evropiane.”
Fitto tha se një Evropë me 27 anëtarë nuk është më e mjaftueshme, prandaj zgjerimi është një zgjedhje e nevojshme.
“Kemi 9 vende që janë të interesuara për procesin e zgjerimit, ndaj është e qartë se ky proces, në këtë rast, bëhet një element thelbësor dhe i rëndësishëm. Evropa duhet të matet në nivel global. Konkurrentët e saj janë Kina dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti, dhe prandaj zgjerimi është një element konsolidimi dhe forcim i projektit evropian.”
Në fjalën e saj, ambasadorja Bitri tha se qëllimi i qeverisë është anëtarësimi në BE në vitin 2030 dhe, për këtë, sipas saj, ka mbështetjen e 90% të popullsisë.
