Tashmë është zyrtare, trupi që u gjet në rrënojat e aeroplanit i përket futbollistit Emiliano Sala. BBC citon një deklaratë të policisë ku thuhet se “Trupi i sjellë në Portland Port, të enjten me 7 shkurt 2019, është identifikuar zyrtarisht dhe është i futbollistit profesionist Emiliano Sala”.
“Familja e z.Sala dhe e pilotit David Ibbotson janë njoftuar me këtë lajm dhe do të vazhdojnë të mbështeten nga oficerët e trajnuar posaçërisht për familjet në këto raste. Mendimet tona mbeten me ta në këtë kohë të vështirë”, ka thënë policia e Dorset.
Aeroplani u gjet të hënën ku u nxorr nga ujërat mes Francës dhe Anglisë. Edhe Cardiff City, skuadra ku do të luante Sala ka bërë një deklaratë zyrtare pasi u konfirmua identifikimi. “Ngushëllimet tona më të përzemërta familjes së Emilianos. Ai dhe Davidi do të mbeten përgjithmonë në mendimet tona”.