Kategoria e Parë dhe e Dytë deri më tani nuk kanë nisur, megjithëse ata, ndryshe nga Superiorja nuk janë në bojkot. Vështirësitë për tu organizuar dhe problemet e klubeve me licensimet e kishin shtyrë Federatën të mos lejonte nisjen e këtyre dy ligave, por tashmë ka ardhur lajmi i madh.
Kategoria e Parë dhe e Dytë do të nisin këtë fundjavë. Lajmin e bën të ditur Federata, që gjithashtu konfirmon edhe njëherë vazhdimin e bojkotit të Superiores, vendimi për të cilën do të merret në mbledhjen e ditës së premte të Ligës Profesioniste, siç është njoftuar edhe më parë. Nuk përjashtohet nisja e saj në mesjavën ose fundjavën e ardhshme.
NJOFTIMI
Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se këtë fundjavë do të nisë edicioni i ri futbollistik 2020/2021 në Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë dhe në të gjitha nivelet e moshave.
Sektori i Garave në FSHF i ka nisur njoftimet klubeve dhe po kryen përgatitjen e nevojshme për këtë rifillim.
Sa i përket Kategorisë Superiore, ashtu siç është njoftuar edhe nga Liga Profesioniste e Futbollit, vendimi do të merret në mbledhjen që presidentët e klubeve do të zhvillojnë sipas programit ditën e premte.
