Ditën e martë vendi ynë u përfshi nga reshje të shumta shiu, të cilat vijuan përgjatë gjithë ditës. Meteorologët, thonë se tashmë kemi mbërritur zyrtarisht në sezonin e vjeshtës.
“Ka sinjale që do të kemi një tjetër episod reshjesh gjatë tetorit. Do të përjetojmë më në fund ato ditët tipike të vjeshtë. Temperaturat kanë ndryshuar dhe janë relativisht të freskëta, maksimalet në rang territori nuk i kapërcejnë 25 gradë”, thotë meteorologia Lajda Porja.
Temperaturat kanë pësuar një ulje të ndjeshme, ndërsa reshjet e shiut do të rikthehen sërish në fund të muajit.
“Do të ketë reshje në veri dhe do të jenë shumë më të pakta, zonat qendrore do të kenë vranësira dhe intervale të shkurta. Është një masë e ftohtë polare që ka zbritur në Europën Qendrore dhe ka prekur dhe Shqipërinë. Ka një ndryshim drastik krahasuar me javën e kaluar”, shprehet meteorologia.
Megjithatë ndryshimet klimatike kanë sjellë një vjeshtë më të ngrohtë se vitet e tjera. Sipas meteorologëve, fundi i javës do të rikthejë temperaturat e larta deri në 27 gradë Celsius.