02 Shtator – 08 Shtator 1909 në qytetin e Elbasanit, në godinën historike të shkollës së Kalasë u zhvillua Kongresi Kombëtar i Elbasanit.
Kongresi i Elbasanit hapi rrugën e shkollimit laik në trevat shqiptare, shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës dhe bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine.
Në këtë Kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu ky kongres hapi edhe rrugën për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si model të shqipes së shkruar.
Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut e morën pjesë si delegatë 35 përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare.
Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-s, një shkollë e mesme pedagogjike (normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.