Specialistët e Seksionit të Kërkimit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mikro”.
Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën ”Hoxha Tasim”, është kapur dhe ndaluar Krenar Begaj, 50 vjeç, i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mashtrimi”. 50-vjeçari ka përvetësuar, nëpërmjet mashtrimit shumën prej 12 mijë euro, nga një shtetas, me pretendimin se do t’i blinte një automjet.