Dega e PD-së në Shkodër pas vendimit të kryesisë qendrore që të mos dalin me kandidat në bashkinë më të madhe në veri për 14 Majin, ka reaguar kundër vendimit. Kryetari i degës së PD-së Shkodër, Xhevdet Amuli, ka deklaruar në televizionin lokal TV1 Channel, se strukturat e Partisë Demokratike nuk do të mbështesin Bardh Spahinë për kryetar bashkie, edhe pse vendimi për të mos dalë me kandidat të PD-së zyrtare do të respektohet.
”Struktura është e përgatitur dhe strukturës i intereson vetëm PD, edhe pse janë zgjedhje lokale, por më shumë se aq janë zgjedhje politike. Kështu që në këtë moment, unë dhe strukturat e PD-së, do të punoj për PD, për listën e këshillit bashkiak, ku secili prej tyre mund të ishte një potencial për drejtimin e bashkisë”.
Amuli deklaroi se nuk e sheh të arsyeshme t’i orientojë demokratët për të mbështetur koalicion Berisha-Meta, për faktin se sipas tij, PL-ish LSI, ishte ajo që ka çuar në shkatërrimin e PD-së ndër vite.
”Unë nuk kam si të votoj PS, as PL, janë dy pole që ndër vite janë munduar të shkërmoqin PD-në. Ne do të votojmë PD, figurat e PD, këshillat bashkiakë, kjo është zgjidhja. Unë nuk kam lidhje me asnjë subjekt te tjera dhe siç e thashë shkatërrimi i PD-së ndër vite është LSI, që në koalicionin e parë. Kandidati, pra Bardhi kujt i shërben? Berisha-Meta e kanë shkatërruar PD, e ka ardhur koha që ne të vazhdojmë drejt rrugë së saj, të ndahemi nga e kaluara”.
