Pagesa 15 mijë euro për një zyrën e avokatisë së bashkëshortes, një pagesë e 600 mijë lekë për arredimin e një shtëpie në Orikum dhe shpenzime të shkollimit të fëmijëve në vitin 2011, u cilësuan si probleme gjatë seancës dëgjimore në KPK për Altin Binajn, drejtues në Prokurorinë e Apelit të Vlorës.
Relatorja Xhensila Pine, e cila shqyrtoi të hënën çështjen e Binajt sëbashku me kryesuesen Genta Tafa (Bungo) dhe anëtaren Pamela Qirko, nuk u ndal në detaje. Pine përmendi se Binaj ishte gjetur në pamjaftueshmëri financiare për tre vite:2008, 2011 dhe 2013, ndërsa tha se ai ishte vlerësuar pozitivisht në dy kriteret e tjera.
Binaj nga ana e tij mbajti një fjalë të gjatë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë të cilës pretendoi se gjetjet për të tre vitet nuk qëndronin. Prokurori tha se të paktën për një vit ajo që rezultonte si pamjaftueshmëri e tij, vinte si pasojë e raporteve kontradiktore dhe të pasakta nga Drejtoria e Tatimeve.
Binaj e ka filluar karrierën në institucionin e Prokurorisë në Shqipëri në mesin e viteve ‘90. Ai ka mbajtur postin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës si dhe ka drejtuar prokuroritë e Fierit dhe të Durrësit gjatë viteve 2008-2013. Në vitin 2013, prokurori Altin Binaj u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kryesoi drejtorinë e hetimit të korrupsionit. Prej vitit 2016, Binaj drejton Prokurorinë e Apelit të Vlorës.