Bujar Kaloshi, ish-drejtor i Burgjeve në vitet e para të sistemit pluralist është një nga njerëzit e parë të vrarë nga organizata kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”.

Sot bëhen 25 vite nga vrasja e tij, ndërkohë që e bija Viola Kaloshi vijon ende të kërkojë drejtësi për të atin, pasi asnjë person nuk është dënuar deri më sot.

Ajo tregon se nuk mund ta fshijë kurrë nga kujtesa 9 qershor të vitit 1996, kur organizoi një një darkë familjare për të festuar ditëlindjen e të atit, të parën pas kalvarit të gjatë të vujtjeve të pafund nën thundrën e regjimit komunist, ku skamja, varferia, dhe barbarizmi i asaj kohe e bënin të harronte datën e lindjes, e jo më ta festonte atë.

Në postimin e saj, Viola Kaloshi i premton të atit se apeli i saj për drejtësinë e munguar do të vijojë derisa ora e saj të jetë afër.

Postimi i plotë:

Në kujtim të 25 Vjetorit të vrasjes së babit tim

Bujar KALOSHI!

Më shumë se dy dekada dhe krimi endet i lirë.

I dashur babi,

Sot bëhen plot 25 vjet qe nga dita kur dora kriminale qëlloi mbi trupin tënd. Ndërkohë që, krimi endet akoma i lirë.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga dita kur dora kriminale qëlloi mbi ty, dhimbja e humbjes tënde mbetet një plagë e madhe tek ne fëmijet.

I lindur në një nga kampet më famëkeqe të komunizmit (Këneta e Tërbufit, Gradishtë, Lushnje) në vitin 1956, mes kushteve më mizore dhe moralit njerëzor ku shtypja dhe shfrytëzimi i njeriut ndaj njeriut ishte çnjerëzor, ti kurrë nuk u mposhte dhe nuk u ndale në rrugën tënde drejt lirisë së munguar, jo vetëm për ne fëmijët dhe familjarët e tu, por për mbarë popullin tënd.

Dashuria ndaj librit dhe diturisë, optimizmi, humanizmi, korrektësia dhe mbi të gjitha etja për drejtesi dhe demokraci ishin boshti i personalitetit tënd të pamposhtur.

Dëshira jote më e madhe ishte ti shërbesh kombit dhe popullit tënd. Ti nuk lodheshe kurrë në luftën e egër për vendosjen e demokracisë dhe shtetin e së drejtës.  Madje, thoje se “jap edhe jeten nëse prej saj do të varej lumturia dhe e ardhmja e begatë e vendit tim”.

Falë guximit dhe ëndrres tënde të  madhe për liri dhe demokraci, rrugëtimi yt filloi pikërisht aty, në strukturat e PD-së së Lushnjes.  Karakteri yt i fortë dhe i pathyeshëm, shpirti tolerant, mendimi ndryshe dhe mbi të gjitha etja për drejtësi me punën tënde në krye të Policise Financiare dhe më pas në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve  hapën siparin e luftës kundër korrupsionit dhe për të mbrojtur interesat e kombit tend.

Gjithashtu, ti nuk u ndale edhe në mbështetje të shtresës tende, duke themeluar kështu Shoqaten Antikomuniste, çka kishte si qëllim kryesor të sajin integrimin e shtresës më të vuajtur (atë të të Përndjekurve Politikë) nga regjimi famkeq i komunizmit.

Ishte pikërisht vendosmëria jote, shpirti reformator, ndershmëria, ideali etj. ato që cënuan anti vlerat, të korruptuarit, njerëzit e etur për pushtet dhe që pushteti ju dukej si pronë e tyre e që kurresesi nuk mund të pajtoheshin dot me mendimin ndryshe.

Ideali yt kalonte kufijtë e dashurisë tënde për ne fëmijet e tu, aq sa thoje” jap edhe jeten për shtetin” Por, pavarësisht kësaj, emri yt mbetet ende në hije dhe krimi mbetet ende i lirë edhe sot pas 25 vitesh.

Babi im,

Nuk mund ta fshij kurrë nga kujtesa ime datën 9 qershor të vitit 1996 (1 muaj para vrasjes). Atë ditë, unë organizova një darkë familjare për të festuar ditëlindjen tënde të parë. E parë, pasi kalvari i gjatë i vujtjeve të pafund nën thundrën e regjimit komunist, ku skamja, varferia, dhe barbarizmi i asaj kohe të bënin të harroje datën e lindjes, e jo më ta festoje atë.

Pavarësisht përpjekjeve të mia për të gëzuar të gjithë sëbashku me familjen tonë të madhe, nuk munda të kem pranë. Angazhimet,  dashuria jote e madhe për punën dhe ndërtimin e një shteti të konsoliduar dhe të së drejtës, më mohuan edhe këtë herë që të festoj dhe gëzoj me ty në këtë ditë. Nuk munda të ndez qirinjtë e tortës tënde apo të shihja shkëlqimin e syve të tu plot jete, inteligjencë dhe bujari, sikurëse vetë emri yt. Nuk munda dot qe ne 40 vjetorin tënd,  të jepja të vetmen dhuratë që mundesha, një përqafim të madh, të madh për të gjithë kohën që nuk të shihja dot për shkak të orëve të gjata që ti kaloje në zyrë duke punuar dhe të thoja se sa pafundësisht të dua.

Vetëm disa ditë më pas, në 26 korrik të vitit 1996 teksa unë flija, dhe prisja që sëbashku me ty të shkonim te mjeku, pasi unë isha e sëmurë, britmat dhe jehona e zërit të mamasë sime (Durime Kaloshi) “Na vrane Bujarin” më zgjoi me dhimbjen më therëse… Renda drejt makinës tënde për të parë, por këmisha jote e bardhë kullonte gjak, plumbat e dorës kriminale kishin përgjakur deri në palcë përqafimin tonë duke lënë pas një plagë të madhe.

Shumë mund të mendojnë se plaga është shëruar, por ata kuptojnë shumë pak nga kjo dhimbje e thellë, e cila dhemb po njësoj edhe sot, pas plot 25 vitesh. Ndoshta edhe me shumë…

Babi im,

Historia e botës është e mbushur me vrasje të disa nga liderëve të shquar si Mahatma Gandhi, John F Kennedy, Martin Luther King etj. të cilët u vranë si rezultat i komploteve të planifikuara nga disa mendje kriminale të njohura. Ngjarje të tilla janë të skalitura në historinë botërore dhe mbeten një udhërrëfyes për breza të tërë që vinë pas. Kjo, për atë çka këta udhëheqës të shquar përfaqësonin dhe që do i mësonte diçka, apo shumë gjithësecilit prej nesh. Por, sikurese çdo popull, edhe ne kemi historine tonë, e cila mbart në vete plot ngjarje të mëdha që kanë lënë gjurmët e tyre.

Eshtë e trishtë, që megjithëse periudhat historike janë të ndryshme, emëruesi i përbashket vrasja, mbetet ende i njejtë. Ndërkohë që, krimi mbetet ende i lirë edhe sot, pas plot 25 vitesh.

Unë, por mendoj edhe shumë të rinj si unë, të prekur nga ngjarje të tilla, që kanë lënë pas plagë të mëdha, kërkojme vetëm drejtësi nga shteti, kërkojmë që të mos vritet ëndrra e babit tim dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për vendin e tyre, duke luftuar me çdo lloj çmimi për më tepër drejtësi, liri, demokraci dhe një Shqipëri të begatë.

Babi im,

Je gjithnjë pranë nesh, dhe pjesë në çdo hap të rrugtimit tonë. Je pikërisht ti dhe mami, qe rrënjoset në formimin e Vilmës dhe timin, vlerat dhe virtutet më të mira si; ndershmëria, krenaria, fisnikëria, bujaria, drejtësia, etj.

Babi ti je me ne, pasi emri dhe gjurmët që ke lënë pas janë të gjalla. Shpirti ynë është plot krenari pasi të takojmë çdo ditë, tek të njohur apo të pa njohur, të cilet përloten dhe përulen me respekt teksa flasin për ty.

Sot, ti, vellai (Vilson) dhe mami (Durime Kaloshi) preheni në paqe. Por, une iu premtoj që apeli im për drejtësinë e munguar do të vijojë deri sa ora e saj të jetë afër.

Ju dua përjetësisht shumë ëngjëjt e mi!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here