297 magjistratë janë larguar nga Sistemi i Drejtësisë si pasojë e procesit të vetingut dhe 4 të tjerë janë pezulluar, deri në datën 6 shtator 2022. Disa u shkarkuan për shkak të pasurisë, disa të tjerë u dorëhoqën.
Testin e pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtinë e figurës e kaluan 215 prokurorë e gjyqtarë të cilët u konsideruan të përshtatëm nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Për 37 prokurorë, gjyqtarë dhe ndihmës ligjor, KPK nuk arriti të dilte me një vendim përfundimtar për shkak të mbarimit të statusit të magjistratit.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, rezulton se më shumë të shkarkuar si të papërshtatshëm janë gjyqtarët me 124 të larguar dhe 50 të tjerë të dorëhequr. Përballë prokurorëve të cilët deri më tani janë shkarkuar 80 dhe më pak kanë dhënë dorëheqjen.
Deri në datën 6 shtator, KPK ka dhënë vendim për 553 subjekte në total nga 805 magjistratë që ishin pjesë e sistemit të drejtësisë. Në dy vitet e mbetura të mandatit, Komisioni duhet të hetojë edhe 252 magjistratë.
