Në 33 vjetorin e themelimit të gazetës Rilindja Demokratike, kryedemokrati Lulzim Basha ka thumbuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, duke thënë se gjatë lidershipit të tij në PD, gazeta ishte kthyer në një ‘orendi të zyrës’.
Ai tha se pas krijimit, gazeta Rilindja Demokratike u kthye në një gazetë klanore dhe personale.
“Drejtuesi aktual i Rilindjes Demokratike meriton njohjen e thellësisë intelektuale që i shkojnë për shtat imazhit të demokratëve. Ne demokratët kemi probleme edhe me perceptimin e imazhit. Pjesë e kësaj ka qenë edhe gazeta Rilindja Demokratike e cila lindi si gazetë mbarëkombëtare por u kthye në një gazetë partiake, më pas sektare, pastaj nepostiste klanore dhe në fund personale. Kaq personale sa ishte thuajse traditë e PD ta konsideronte Rilindjen Demokratike si pjesë e orendive të zyrës. Kjo është tradita fillimi është i lavdishëm, siç u tha nga 2 protagonistët kulmorë por ka shumë për të cilat jo vetëm nuk mund të krenohemi por duhet të reflektojmë”- tha Basha.
Basha u shpreh se zotimi i parë i tij është se duke nisur me shpalosjen e programit të saj elektoral, PD zotohet se do të çlirojë median nga robëria dhe lidhjet me pushtetin.
